Temperaturat e larta të verës, mjeku bën thirrje për kujdes: Ka pasoja, nuk duhet të…

Temperaturat e larta kanë nisur shumë herët këtë vit dhe pritet që të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në fundjavë.

Për të diskutuar mbi kujdesin ndaj temperaturave të nxehta ka qenë i ftuar në studion e “Rudina” mjeku Piro Paparisto. Sipas mjekut është e qartë që temperaturat kanë ndryshuar jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë globin.

Njerëzit duhet të kenë shumë kujdes pasi këto temperatura janë me pasoja. Kujdesi kryesor duhet të jetë ndaj ekspozimit në diell, pasi ai shkakton shumë problem në lëkurë, si kancer, shenja dhe më tepër rrudhosje si shkak i rrezatimit diellor.

Gjithashtu temperaturat e larta sjellin problem edhe për shëndetin kardiovaskular, që do të thotë me zemrën dhe me enët e gjakut. Presioni i gjakut arrin luhatje të njëpasnjëshme.

“Dëmtime të tjera, vijnë si pasojë e humbjes së madhe të lëngjeve ose të kripërave minerale nga djersitja e tepruar, kështu që moshat më delikate, fëmijët dhe të moshuarit duhet të kenë shumë kujdes nga këto temperatura të larta. Nuk duhet të sforcohen shumë, të mos ecin shumë në distanca të largëta dhe gjithashtu të kenë kujdes me hidratimin, pra të pinë sa më shumë ujë në mënyrë të vazhdueshme”, tha mjeku.

Ngrënia e ushqimeve të pasura me vitamina, fibra është gjithashtu shumë e rëndësishme për organizmin në këto ditë të nxehta. Për sa i përket kremit me faktorë mbrojtës ndaj diellit, dr. Paparisto tha se të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për përdorimin e tij, duke nisur që nga fëmijët e deri tek moshat e mëdha./tvklan.al