Për herë të parë në botë, ekzekutohet me azot i burgosuri në Amerikë

Guvernatori republikan në Alabama, Kay Ivey, njoftoi se autoritetet, për herë të parë në botë, kanë kryer ekzekutimin e një të dënuari me vdekje, me azot, një metodë e kritikuar gjerësisht nga OKB.

Kenneth Eugene Smith, i cili u dënua me vdekje në vitin 1996 pas gjyqit të tij për vrasjen e një gruaje me urdhër të burrit të saj, u shpall i vdekur në burgun Atmore në orën 20:25 , njoftuan mediat amerikane duke cituar një deklaratë për shtyp nga guvernatori Ivey.
Ndërkohë, në 2022, pati një përpjekje të dështuar për ta ekzekutuar atë me injeksion vdekjeprurës, por këtë herë ekzekutimi i tij u krye me azot.

Alabama u bë shteti i parë amerikan që ekzekutoj një të burgosur duke e detyruar atë të thithë azot të pastër në një maskë. Një metodë e miratuar edhe në Misisipi dhe Oklahoma por deri më tani nuk është përdorur kurrë pasi konsiderohet e papranueshme edhe si një formë eutanazie për kafshët.