Ekskluzive/ Rrëfimi i ëmbël dhe si asnjëherë më parë i Klodiana Lalës

Nga Nada Biraçi

Telefoni i saj nuk fiket kurrë e ditët e pushimit për të, nuk janë asnjëherë të tilla. Klodiana Lala është gjithmonë në terren, aty ku krimi dhe ngjarjet e kronikës së zezë, për fat të keq ndodhin jo pak në vendin tonë. E palëkundur, stoike dhe aspak e intimiduar ndaj asnjë personazhi me precedent të rëndë kriminal, Klodi është kthyer një emër i pakontestueshëm në gazetarinë e kronikës se zezë. E gjitha kjo me një kosto aspak të vogël, pasi mami i Priseas dhe Elysee mungon shpesh në përditshmërinë e tyre. Klodiana Lala vjen në këtë rrëfim për “Bordo”, si asnjëherë më parë në syrin e publikut, veshur me mantelin e mëmësisë; duke treguar sesi është një ditë vajzash në familjen e saj; sesi mami Klodi improvizon përrallat e preferuara të vajzave e herë luan rolin e kësulëkuqes, herë atë të ujkut; sesi gatuajnë së bashku receta tradicionale, edhe pse kurorën e ‘chef-it’ në shtëpi e mban babi…deri kur tringëllima e telefonit njofton për një tjetër ngjarje të rëndë, e aty Klodianës do t’i duhet të veshë kostumin e gazetares, profesion për të cilin të bijat mendojnë se është një kostum i qepur enkas për mamin e tyre.

Duam të njohim një anë tjetër të Klodiana Lalës, atë më të ëmblën, mëmësinë. Çfarë mami është Klodi?

Jam një mami që kërkoj rregull në shtëpi, korrektësi. Përpiqem që përmes shembullit tim, t’ju tregoj vajzave se jeta nuk është e lehtë, që çdo ditë është një sfidë dhe vetëm përmes punës, përkushtimit, këmbënguljes mund t’ia dalin në rrugën e suksesit. Iu jap hapësirën dhe lirinë e tyre, nuk iu imponohem, por bisedoj me ta, shkëmbej mendim, i pyes për çfarë duan dhe çfarë jo dhe në fund marrim vendime.

A mund t’i pyesni vajzat tuaja, se si e përshkruajnë ato mamin e tyre?

Priseas: Nuk kam njohur grua më të fortë se mami, më të përkushtuar dhe këmbëngulëse.

Elysee: Mami im është gazetarja më e mirë në botë. Dhe mami më e ëmbël në botë.

Profesioni juaj është tejet i vështirë, sidomos për gratë. Ç’kusure keni ‘paguar’ për shkak të këtij profesioni?

Është një profesion që të maturon shumë. Të përball me shumë situata e sfida, me shumë personazhe e karaktere. Nga ana tjetër, mbart dhe shumë rreziqe. Në këtë rrugëtim kam paguar dhe unë kostot e mia; orët e gjata të mungesës në familje. Vajzave iu jam në borxh, që nuk iu kam kushtuar kohë mjaftueshëm. Në jo pak raste iu kam shkaktuar stres, për shkak të natyrës së punës. Por jam e lumtur që në çdo situatë ja kemi dalë.

Fushë që rrihet më së shumti nga burrat, jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?

I kam thyer barriera të tilla. Prirem të jem e drejtë, profesionale dhe e vërtetë në atë çfarë bëj e them. Të tjerat për mua nuk kanë rëndësi. Sado mirë ta bësh diçka, gjithmonë do të gjendet dikush që do ketë një kritikë. E rëndësishme për mua, është sesi i bëj gjërat, me sa pasion e përkushtim. Paragjykimet më kanë shkaktuar bezdi, ndoshta në fillimet e mia. Tanimë nuk ndikojnë aspak. Tani e marr çdo gjë me sportivitet.

Në terrenin e rëndë të kronikës së zezë duhet një zemër e hekurt, e duket se një mami e ka të vështirë të mos rrëzohet, aq më tepër kur në lajmet e kronikës ka emra fëmijësh…Klodi, ju si ja bëni, për ta gjetur forcën?

Janë momente të vështira për çdo gazetar, kur raporton për ngjarje kur në mes janë fëmijët. Më e rëndë bëhet pesha, kur je edhe vetë nënë. Shpesh më është dukur, sikur çatia më është shembur mbi kokë, por gazetari ka mision të vërtetën dhe informimin dhe duhet ta bëjë mirë punën, pavarësisht kushteve apo rrethanave.

Çfarë mendojnë vajzat për profesionin tuaj?

Ju pëlqen shumë. Në mënyrën sesi shprehen, më bëjnë të kuptoj se të dyja mendojnë se “gazetaria është një kostum i qepur enkas për mua”.

Me siguri, mungoni shumë në shtëpi. Si e rikuperoni kohën me vajzat?

Kalojmë së bashku kohë cilësore. Qeshim, kërcejmë, pikturojmë. Bëjnë punët e shtëpisë së bashku, tregojmë ngjarjet e ditës. Ju rrëfej histori, kur ishin më të vogla përralla. Luaj të gjitha personazhet. Dy apo 3 vite më parë, bëja njëherazi dhe rolin e Kësulëkuqes dhe atë të Ujkut. Nuk mjafton të jesh fizikisht në shtëpi. Ndërveprimi me fëmijët është shumë i rëndësishëm.

Çfarë iu pëlqen atyre më shumë të bëjnë me mamin? Si është një ditë vajzash, me ju të treja?

Ditët tona të pushimit nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Një ditë na gjen në teatër, një ditë tjetër shkojmë për piknik. Ka raste kur rrimë në shtëpi dhe gatuajmë të treja së bashku. Ka ditë kur dalim për ecje në mal, e kështu me radhë. Kemi një album të bukur kujtimesh së bashku.

Nëse nuk ndodheni në redaksi apo terren; si është një ditë relaksi për ju?

Gazetari është si një mjek roje, si oficer policie, si një zjarrfikës, duhet të jetë gati në çdo kohë. Gjithmonë në kohë për të ndjekur ngjarjen e radhës.

I vizitoni qendrat estetike?

Rrallë!

Çfarë përmban rutina juaj e bukurisë?

Një rutinë e thjeshtë. Çdo darkë bëj një pastrim fytyre në kushte shtëpie, nuk fle kurrë me grim, sado vonë të kthehem apo sado e lodhur të jem nga dita. Përdor kremra. Sa herë e kam të mundur, bëj ushtrime. Me palestrën nuk kemi marrëdhënie të mira, sepse nuk na premton koha.

Kur jeni në shtëpi, çfarë programesh ndiqni në televizion (përveç lajmeve)?

Shoh dokumentarë në Netflix, filma historikë dhe filma vizatimorë. Patjetër edhe lajme.

Çfarë libri keni mbi komodinë?

“Lehtësia e padurueshme e qenies” e Milan Kunderës dhe “Daullja prej llamarine” e Gunter Grass.

Gatuan Klodi? Cila është receta që ju kërkojnë më shumë në familje?

Me gatimin s’i kam marrëdhëniet shumë të shkëlqyera. Si çdo grua shqiptare gatuaj dhe unë, ushqimet tradicionale. Gatimet e zonës sime, Dibrës. 10-n në gatim e merr bashkëshorti. Kam mësuar shumë prej tij vitet e fundit dhe po përmirësohem çdo ditë.

Këshilla që iu jepni çdo ditë vajzave tuaja, cila është?

Qëndroni të drejta, edhe kur iu bëhet padrejtësia më e madhe. Ua përsëris çdo ditë.

Klodi, si e ndani kohën mes të qenit profesioniste, nënë, bashkëshorte dhe grua?

Është një gjë krejt e natyrshme, një rrugë e shtruar enkas për mua, ku unë eci e qetë. Unë jam një grua energjike dhe gjej kohë për të gjitha. Edhe në ditët më të ngarkuara, kam minutat e mia që ua kushtoj vajzave dhe bashkëshortit, familjes, shoqërisë. Gjendem kudo e në çdo kohë.

A është vërtetë e mundur të arrihet një balancë perfekte mes të gjithave, apo ky është një mit?

Forca e një gruaje është e jashtëzakonshme dhe nuk është aspak mit, që ajo ja del të balancojë më së miri jetën familjare me atë profesionale. Kam patur fatin që bashkëshorti dhe familja ime më ka mbështetur në çdo hap, duke mbajtur edhe kosto. Por, asnjëherë, nuk janë mërzitur me mua, përkundrazi më kanë motivuar. Sigurisht, bashkëshorti është kritik, duke dashur në këtë mënyrë që unë të përmirësohem çdo ditë, të jap më të mirën nga vetja.

Nëse do të ktheheshit pas, do të zgjidhnit sërish gazetarinë si profesionin tuaj?

Padiskutim. Në çdo kohë e në çdo rrethanë, gazetarinë do të zgjidhja. Mendoj se kam lindur për të qenë gazetare. Që e vogël prezantoja pjesë të ndryshme, para pjesëtarëve të familjes sonë të madhe.

Cila ka qenë periudha më e vështirë e karrierës suaj?

Kam kaluar shumë momente të vështira. Është sfiduese të bësh gazetari në Shqipëri, kur lajmi i rremë dhe akuzat e paverifikuara, janë kthyer në “institucion” për fat të keq. Është sfiduese, të mos mbështetesh nga askush dhe të jesh vetëm në rrugëtimin tënd. Është sfiduese, kur përballesh me të gjithë dhe të shenjëstrojnë, duke tentuar të të delegjitimojnë. Por ashtu siç më keni parë në ekran, nuk jam një njeri që bëj hapa pas. Kam guximin, për t’ju shkuar deri në fund gjërave.

Keni menduar ndonjëherë ‘në djall, do ta lë këtë profesion’?

Kurrë nuk kam menduar, ta braktis gazetarinë. Ka patur momente që kam shfryrë e kam thënë: përse vazhdoj të bëj diçka, kur në këtë vend asgjë nuk ndryshon? Por pas rebelimit të momentit, jam ngritur edhe më e fortë, më këmbëngulëse dhe më e qartë. Unë jam në këtë profesion, përsa kohë mendoj se kontributi im vlen dhe jam në anën e së drejtës, në mbështetje të kauzave të drejta, për t’iu dhënë zë njerëzve të thjeshtë, por me halle të mëdha në vendin tonë. Nuk kam kurajë t’i tradhtoj qytetarët, që kanë nevojë për kontributin tim profesional.

Çfarë prirjesh kanë shfaqur vajzat, e mendoni nëse ndonjëra do të jetë pasardhëse e mamit në gazetarinë shqiptare?

Vajza e madhe me ngjan, se ka prirje për artin dhe arkitekturën. E vogla prirje në matematikë. Por është ende shumë herët. Të dyja janë të lira të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë, edhe nëse do të zgjedhin gazetarinë si profesionin e tyre. Unë do të jem aty bashkë me babain e tyre, për t’i mbështetur në çdo hap. Nuk do t’iu imponohem kurrë. Si të gjithë ne, edhe vajzat e mia do të gabojnë, do të mësojnë nga gabimet e tyre, do të ecin përpara. Si nënë, kam detyrën t’i brumos me parime të mira, e nëse qëndrojnë fort te parimet, mendoj se do t’ia dalin në çdo aspekt.

Çfarë këshille do t’i jepnit sot një studenti, që ndodhet në auditoret e gazetarisë?

Ji dinjitoz, i guximshëm, jepi zë më të dobëtit, duaje të vërtetën dhe mos u tundo nga luksi.