Po ecnin në breg, 3 gra plagosen pasi goditen nga rrufeja në resortin e njohur

Ajo që ka ndodhur në Alba Adriatica (Teramo) në Itali përshkruhet si “ferr”, pasi rrufeja goditi plazhin e resortit të njohur turistik.

Tri gra që ecnin në breg u plagosën. Dy janë në gjendje të rëndë. Shumë nga turistët e tjerë të pranishëm në momentin e shpërthimit ishin të tronditur.

Ngjarja ndodhi pak pas mesditës në bregun jugor të Alba.

Kur rrufeja shkarkoi të gjithë energjinë e saj në tokë, plazhi ishte i mbushur me njerëz.

“Qielli ishte i vrenjtur dhe kishte pak minuta që binte shi, por kishte ende shumë njerëz. U dëgjua gjëmimi dhe më pas lindi paniku, një skenë apokaliptike“, thonë dëshmitarët.

E plagosura më rëndë ishte një 41-vjeçare nga Alba Adriatica, e cili pësoi arrest kardiak dhe u reanimua në vend me një defibrilator.

Helikopteri 118 më pas e mori atë direkt nga plazhi dhe e transportoi në spitalin Mazzini në Teramo, ku ajo tani është në kujdesin intensiv.

E rëndë ka qenë edhe gjendja e një turisteje belge 64-vjeçare, e cila më parë ka vuajtur nga një humbje e përkohshme e ndjeshmërisë në pjesën e poshtme të trupit (parestezia).

Por më pas ajo u përkeqësua, duke pësuar edhe një atak në zemër gjatë operacioneve të shpëtimit. Ajo ndodhet e shtruar në spital në Teramo.

Gjithashtu, një 44-vjeçare mbeti e plagosur, por gjendja e saj shëndetësore paraqitet më e mirë në raport me dy rastet e tjera.