Shqipëria siguroi medaljen e parë në Lojërat Olimpike, Rama: Lajm që flet për fillimin e një historie të re

Kryeministri Edi Rama ka reaguar, pasi Shqipëria ia doli që të fitojë për herë të parë medalje bronzi në Lojëra Olimpike me anë të mundësit Chermen Valiev.

Rama shprehet se ky triumf është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar dhe po ashtu flet për fillimin e një historie të re, që sipas tij do të sjellë fryte në vite.

Postimi i Ramës:

💥🇦🇱Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit;

për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi;

si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë🤩
FALEMINDERIT KAMPION🥉🦅