“Jeta në këtë vend e pasigurt!” -Homazhe në nder të Egli Progës, qirinj në Katedralen e Korçës

Qyteti i Korçës ka ndezur qirinj në nder të Eglantin Progës, 42 vjeçarit i cili ndërroi jetë pas dhunës së ushtruar nga Denis Meçe, ngjarja tragjike për qytetin e Pogradecit më 10 gusht 2024.

Homazhet po mbahen në Katedralen e qytetit.

Një prej qytetarëve ka dhënë prononcim për mediat duke i bërë thirrje institucioneve për të zbardhur ngjarjen, të bëjnë drejtësi dhe të mbrojnë jetën e çdo qytetari.

Qytetari ka shprehur se ngjarja nga mbeti i vrarë Eglantin Proga, tregon se jeta në këtë vend është e pasigurt.

“Bëjmë thirrje për të bërë homazhe për largimin e padrejtë nga jeta të Eglit, i cili u vra dhe tregoi se për të gjithë ne jeta është e pasigurt në këtë vend. Sot ishte Egli, nesër mund të jetë kushdo. Ne besojmë se duhet të kemi homazh, duhet të bëjmë një thirrje për drejtësi, duhet të bëhemi të gjitha bashkë, për të kuptuar se jeta duhet mbrojtur.

I drejtohemi institucioneve që kanë për detyrë të na mbrojnë jetën. Të gjithë qytetarët e kanë ndjerë dhimbjen që një prind la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël. Kërkojmë drejtësi dhe siguri për jetën tonë”, tha qytetari.