Njëri në hotel dhe tjetri në diskotekë/ Ku e kaloi natën Naimi dhe autori, pas vrasjes së Liridonës?

Kushtrim Kokalla, një prej tre të arrestuarve për vrasjen e Liridona Ademajt ka treguar se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Ai ka thënë se bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli prej një viti i ishte lutur për ta kryer vrasjen pasi do e paguante mirë. Por Kokalla, i cili është kushëriri i Naim Murseli dhe pjesëtar i FSK thotë se nuk ka pranuar ta kryejë vrasjen dhe për këtë arsye porosia i ka kaluar, Granit Plavës.

Kokalla ka treguar se me Naim Murselin është takuar ditën e krimit por i ka ripërsëritur faktin se ai nuk do përzihet me krimin dhe është larguar në shtëpi. Ai thotë se lajmin për vrasjen e Liridonës e ka marrë vesh nga mediat dhe pas kësaj ka shkuar në Komisariat për të qenë pranë tij.

Ai thotë se pasi ka dalë nga Komisariati, ka shkuar në hotel bashkë me Naim Murselin, ndërsa Granit Plava pas vrasjes ka shkuar në një diskotekë. Kokalla ka treguar se Plava e ka ftuar për të shkuar bashkë në klub por nuk ka pranuar.

Në datën 29.11.2023 më ka kontaktuar Naimi dhe më pyeti ku isha, i thashë se më ishte prishuar makina dhe se po e rregulloja. Ai ka inisuar që të takoheshim vetëm 5 minuta, u takuam në qytetin e Gjakovës rreth orës 09:30 të mëngjesit. Aty më ka thënë që “duhet kryer kjo punë” për vrasjen e gruas së tij, sepse rreth 1 vit më parë mua më ka lutur mua që ta kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që ta bëj këtë punë dhe mos ma thuaj më kurrë.
Atë ditë më tha që po e thirr Granitin dhe po takohem me të. Pastaj unë jam ndarë nga Naimi dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me të deri në orët e mbrëmjes, diku rreth orës 22:00 kur më ka kontaktuar në telefon një shok dhe më ka thënë ai i ke parë lajmet. Aty kam kuptuar për rastin e vrasjes së gruas së Naimit. Sapo morëm lajmin së bashku me familjen kemi shkuar në Prishtinë në stacionin e policisë për të pritur sa të përfundonin procedurat.
Pastaj unë për të mos e lënë vetëm Naimin, kam qëndruar së bashku me të për ti qëndruar afër dhe kemi shkuar në një hotel në Prishtinë. Në momentin që hymë në dhomë, Naimi më ka thënë “e kreva këtë punë”. Jam shokuar menjëherë dhe kam thënë se nuk dua të di asgjë lidhur me këtë.
Pastaj po atë natë Graniti më thirrur për të shkuar me të në një klub nate dhe më ka dërguar video në Snap nga diskoteka. I thashë që nuk vij sepse kam një rast. Kam menduar që ta raportoj në polici, por isha i shokuar dhe e di që kam gabuar, jam frikësuar shumë për familjen time.