Tentoi të rrëmbejë të miturën në një market, identifikohet dhe shoqërohet në Komisariat 57 vjeçarja

TIRANË – Policia ka identifikuar gruan që tentoi të rrëmbejë një të mitur 2 vjeçare në një market para një jave në Tiranë. Ajo është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit nr.3 të kryeqytetit, pas denoncimit të babait të vajzës së mitur.

Kujtojmë se në një market tek rruga e Barrikadave në Tiranë, gruaja 57 vjeçare R.B., sapo hyri në market shkoi tek vajza që po shikonte produktet e marketit dhe për momentin ishte e shpëkutur nga mamaje.

Gruaja e mori vajzën në krahë dhe doli jashtë marketit. Më pas u pikas nga e jëma e vajzës së mitur, e cila rendi me vrap jashtë dhe vajza u kthye në market. Dyshohet se gruaja 57 vjeçare vuan nga probleme të shëndetit mendor.

‘Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 15.09.2024, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ku brenda një marketi një shtetase ka marrë në krahë një të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga marketi dhe më pas është rikthyer sërish, ju njoftojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasen R. B., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 57-vjeçaren, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 110/22 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.’, njofton policia.