Tragjike në Iran! 51 persona humbin jetën pas një shpërthimi në minierë

Një shpërthim i shkaktuar nga një rrjedhje gazi në një minierë qymyri në Iranin lindor ka vrarë të paktën 51 persona, ndërsa më shumë se 20 të tjerë u plagosën pas shpërthimit në provincën e Khorasanit të Jugut.

Raportohet se është shkaktuar nga një shpërthim gazi metani në dy blloqe të minierës në Tabas, 540 km në juglindje të kryeqytetit Teheran.
Guvernatori i Khorasanit të Jugut, Javad Ghenaatzadeh, tha se në momentin e shpërthimit në blloqe ishin 69 punëtorë.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, ai tha: “Kishte një shpërthim dhe fatkeqësisht 69 persona punonin në blloqet B dhe C të minierës Madanjoo. Në bllokun C ishin 22 persona dhe në bllokun B ishin 47 persona”.

Mbetet e paqartë se sa njerëz janë ende gjallë dhe të bllokuar brenda minierës.