Ekskluzive: 19-vjeçarja e shantazhon burrin me të cilin shkoi në motel, pasi s’i dha para e raportoi për ‘sulm seksual’

Raporti i afërt me një burrë i kushtoi me arrestim një vajze 19-vjeçare në Ferizaj. E reja fillimisht kërkoi ndihmën e Policisë duke e raportuar palën tjetër, por që ia bëri gropën edhe vetes. Ajo përfundoi në pranga nën dyshimet për shantazh, ndërsa edhe burri me të cilin u fut në telashe po hetohet për një rast tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detajet e dramës në të cilën u përfshi 19-vjeçarja dhe një 34-vjeçar

Bazuar në informacionet që ka Sinjali, palët janë takuar para dy ditësh, pas mesnate dhe kanë kaluar kohë në motel ‘Fati’ në fshatin Muhoc të Ferizajt.

Gjatë qëndrimit aty, për orë të tëra, çifti dyshohet se nuk u nda fort mirë dhe patën fjalosje, e madje debati mes tyre eskaloi edhe në sulm, ku viktimë ishte 19-vjeçarja.

Siç thonë të njëjtat burime, konflikti mes tyre vazhdoi edhe në biseda në rrjete sociale, por nuk u denoncua në Polici, pasi e dyshuara kishte bërë plan që ta kushtëzonte e shantazhonte 34-vjeçarin për të mos e raportuar.

Sinjali ka mësuar se 19-vjeçarja i kishte kërkuar 1 mijë euro nga i dyshuari për të mos e denoncuar në Polici lidhur me rastin e sulmit.

Por, meqë paratë nuk arriti t’i marrë, e dyshuara veproi kështu, e madje raportoi se edhe është sulmuar seksualisht nga i dyshuari derisa kanë qenë në motel.

Denoncimi i saj e aktivizoi Policinë, por pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, u zbulua rasti i shantazhit dhe për pasojë dy palët përfunduan në stacion policor.

Ndaj të dyshuarës, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, ndërsa burri i dyshuar është lënë i lirë për t’u hetuar në procedurë të rregullt për veprën penale “Sulmi”.