Histori suksesi/ Studentja nga Gjirokastra përzgjidhet nga NASA. Njihuni me Ledia Shehun

NASA ka miratuar dhe financuar me $150,000 projektin e Ledia Shehut, të titulluar “Modeli Konstitutiv Multishkallësh për ISRU-Bazuar në Printimin 3D të Betonit Lunar (hënor).”

Ky projekt synon të zhvillojë një model për printimin e betonit duke përdorur materiale të Hënës, duke simuluar kushtet e saj në laborator. Propozimi u përzgjodh nën programin e NASA-s për Hetuesit e Ardhshëm në Shkencat Tokësore dhe Hapësinore (FINESST).

Përveç mbështetjes financiare, NASA do të ofrojë ndihmë nga inxhinierët dhe laboratorët e saj për të avancuar kërkimet. Kjo mbështetje do të mundësojë studime më të thelluara mbi materialet dhe metodat për ndërtimin në Hënë.

Kush është Ledia Shehu ?

Quhet Ledia Shehu, nga Gjirokastra, pas mbarimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, ndoqi studimet universitare për Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin Akdeniz të Antalias ku mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Pas një përvoje të dy vjeçare në kompani të ndryshme ndërtimi në Shqipëri, në 2022 vendosi të ndiqte studimet në nivelin Master në Universitetin e Alabamës. Duke qenë se edhe masterin e përfundoi me rezultate ekselence, vendosi të vazhdonte studimet doktorale në po të njëjtin universitet ku u bë fituese e një burse studimore.

Pas një viti intensiv studimesh me rezultate të shkëlqyera, studimi i Ledia Shehut mbi printimit e betonit në Hënë me atë të një printeri gjigant në 3D, i gatuar me materiale hënore u përzgjodh nga NASA. Vlen të përmendet, se Universiteti i Albamas dhe qendra kërkimore që mban emrin e një prej shkencëtarëve më të shquar hapësinor të shekullit të kaluar, Von Braun, janë pothuajse ngjitur me NASA.