Operacion për kontrabandë të botoksit, shpallet në kërkim nga policia doktori i VIP-ave, Skerdi Faria

Skerdi Faria, 53 vjeç, administratori i klinikës private të operacioneve estetike, “Keit” është në mesin e 3 personave të shpallur në kërkim në operacionin e Krimit Ekonomik të Policisë së Shtetit për kontrabandën e produkteve të botoksit, i finalizuar në dy ditët e fundit, pas muajsh hetimi.

Policia zbarkoi të martën në klinikën e tij, duke gjetur sasi të konsiderueshme të botoksit, që nuk i kishte deklaruar në organet tatimore. Rrjedhimisht, blutë e shpallën në kërkim, pasi vetë ai nuk u gjet.

Burime bëjnë me dije se “doktor Skerdi”, siç e njohin të gjithë, rezulton të jetë jashtë territorit të vendit. Përveç tij në kërkim u shpallën edhe 2 administratorë të tjerë klinikash, të cilët po ashtu nuk u gjetën, 5 po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 3 të tjerë u arrestuan.

Në mesin e të arrestuarve është administratori i një kompanie, e cila është përgjegjëse për hyrjen e sasive të mëdha botoksit kontrabandë, të cilat i mbante ne magazina dhe destinacion final kishin 30 klinikat ku kryheshin injektimet. Për të dokumentuar këtë veprimtari kriminale, efektivë të policisë u infiltruan në qendrat estetike si klientë që do të kryenin injektimet e botoksit.

Burime pranë policisë i thanë Report Tv se janë dy lloje botoksesh që janë sekuestruar, njëri i quajtur “Nabota”, me origjinë koreane dhe “Disport”, i prodhuar në Turqi dhe të dy dyshohet të kenë hyrë brenda vendit përmes pikës kufitare të Rinasit dhe Morinës. Në operacionin e policisë u kontrolluan 30 klinika dhe qendra estetike me vendim gjykate, ndërsa të gjitha arrestimet, shpalljet në kërkim dhe nisja e hetimeve, u bë pas konstatimit të sasive të mëdha të këtyre produkteve në pjesën më të madhe tyre.

Të gjithë administratorët janë në akuzë për kontrabandë me mallra të licencuara, e kryer në bashkëpunim, kontrabandë nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore, po ashtu e kryer në bashkëpunim dhe fshehje e të ardhurave.

Xh.K/ReportTv.al