Të paktën 211 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike në Spanjë, me shumicën e viktimave në Valencia dhe zonat përreth.
Shiu i rrëmbyeshëm në Spanjë shkaktoi përmbytje të mëdha, duke shkatërruar ura dhe duke mbuluar qytete të tëra me baltë, ndërsa në shumë zona u ndërpre energjia elektrike dhe furnizimi me ujë.
Një grua u shpëtua pas 3 ditësh e bllokuar në makinë
Mediat në Spanjë raportojnë se një grua u shpëtua pas tre ditësh e bllokuar brenda makinës së saj.
Ngjarja e cilësuar si një “mrekulli”, ka prekur komunitetin lokal, ndërsa tuneli në të cilin u gjet gruaja lidh Benetússer-in me Alfafar, dy zona të prekura rëndë nga stuhitë e fundit.
Gazeta Las Provincias raporton se pas përfundimit të shpëtimit, gruaja u dërgua në spital për ndihmën e parë.
Përmbytjet katastrofike që morën jetën e më shumë se 200 personave në Spanjë, kanë gjunjëzuar mbarë vendin, me kryeministrin e vendit Pedro Sanchez, që nxori në terren mbi 10 mijë specialistë nga ekipet e shpëtimit dhe nga policia për të monitoruar situatën dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve.
BBC raporton se më shumë se 200 banorë janë konfirmuar të vdekur nga fatkeqësia natyrore që preku Spanjën, ndërsa pritet që shifrat e viktimave të rriten në orët, apo ditët në vijim, pasi rezultojnë shumë qytetarë të zhdukur.
Rrëfimet e banorëve të prekur nga përmbytjet janë rrëqethëse
“Kam humbur gjithçka – por të paktën jam gjallë”
Në Valencia, një pronare e një biznesi lokal i tha BBC-së se, në një moment uji që i hyri në dyqan vërshoi aq shpjet, sa që ajo mendoi se do të vdiste, pasi uji i arriti deri në qafë.
“Të paktën unë jam gjallë, por kam humbur gjithçka. Biznesi im, shtëpia ime,” thotë Amparo Andres, e cila ka dyqanin e saj në Valencia prej 40 vitesh.
“Qeveria nuk po bën asgjë. Vetëm të rinjtë përreth po na ndihmojnë”, tha ajo mes lotësh.
Juan Perez, një tjetër banor vendas, u kthye në shtëpinë e tij pas përmbytjeve. Ai u shpreh: “E gjithë jeta ime, kujtimet e mia..brenda natës, gjithçka është zhdukur”.
Rreth 4,500 biznese janë dëmtuar në Valencia si pasojë e shirave të dendur që sollën përmbytje katastrofike në Spanjë, raporton agjencia e lajmeve e vendit Efe.
Duke cituar Dhomën e Tregtisë së Valencias, Efe thotë se rreth 1,800 nga këto biznese kanë pësuar dëme serioze.
Raporti gjithashtu rendit disa nga bashkitë që janë prekur më shumë ekonomikisht, duke përfshirë Paiporta, Picanya dhe lagjen La Torre.
Këto zona kanë “qindra” ambiente të përmbytura, duke shkaktuar dëme në pajisje, objekte dhe automjete si dhe humbje stoku.