“Mrekullia” mes fatkeqësisë nga përmbytjet apokaliptike në Spanjë, një grua gjendet e gjallë pas tre ditësh e bllokuar në makinë

SPANJË- Makina e saj ishte në mesin e shumë automjeteve që u përfshinë në përmbytjet vdekjeprurëse të Spanjës. Por pas 72 orëve të kaluara e bllokuar në një nënkalim, gruaja u cilësua si një “rekulli” e ndodhur mes fatkeqësisë.

“Pas tre ditësh, gjetëm dikë të gjallë në makinën e saj,” tha Martín Pérez, kreu i shërbimit të mbrojtjes civile të Valencias. Njoftimi shkaktoi duartrokitje të përzemërta.

Pérez më vonë shpjegoi për faqen lokale të lajmeve Levante se, ndërsa përmbytjet kaluan nëpër rajon, makina e gruas ishte në mesin e shumë të tjerave. Ajo kishte përfunduar në një nënkalim në komunën e Benetússer, e bllokuar brenda një makine që ishte në një grumbull automjetesh të tjera.

Shërbimet e urgjencës po punonin afër të premten kur dëgjuan thirrjet “Doktor, doktor”. Ata nxituan drejt vendit nga ku dukej se vinte zëri, duke e ndjekur zërin brenda një grumbulli makinash. Pas orëve të kaluara duke pastruar automjetet dhe mbeturinat që bllokuan rrugën e tyre, shpëtimtarët arritën ta nxirrnin gruan. Asaj iu dha ndihma mjekësore në vendngjarje përpara se të dërgohej në spital.

Mediat spanjolle e përshkruan shpëtimin e saj si një “mrekulli”, një rreze shprese mes një panorame gjithnjë e më të shkretë. Të paktën 217 persona humbën jetën nga shirat e rrëmbyeshëm të së martës , ndërsa numri i të zhdukurve mbetet i panjohur. Ditët e fundit, janë shfaqur histori të shpëtimeve të jashtëzakonshme, duke i shpëtuar njerëzit nga kthetrat e përmbytjeve më vdekjeprurëse në historinë moderne të Spanjës.