Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të martë në një fshat të Librazhdit.
Një grua e moshuar gjatë kohës që kulloste tufën e bagëtive është goditur fuqishëm nga pas nga dashi i kopesë dhe është përplasur në tokë.
Fatkeqësisht, goditja dhe përplasja ka qenë fatale për të moshuarën rreth 75 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në vend nga plagët. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dragostunjë në Njësinë Administrative Qendër në Bashkinë Librazhd dhe gruaja e moshuar është gjetur e pajetë nga një e afërme e saj, fqinje me të.
E ndjera jetonte e vetme në fshat dhe kishte një tufë të vogël të imtash. Ndërkohë fëmijët e saj jetojnë me familjet e tyre në Tiranë dhe një prej djemve në Angli si emigrant i ligjshëm.
75-vjeçarja gëzonte shëndet të mirë dhe pavarësisht këmbënguljes së madhe të fëmijëve për t’u bashkuar me ta, kishte zgjedhur të qëndronte në fshat edhe pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj.