Burri dorëzon 80 pistoleta, pushkë e municione gjatë amnistisë së armëve në Danimarkë

Rreth 80 armë zjarri, 140 kilogramë municione dhe një granatë dore që në dukje vinte prej Luftës së Dytë Botërore, janë dorëzuar në polici një burrë në Danimarkë, pas njoftimit të amnistisë kombetare për armët.

Zyrtarët kishin shpallur amnistinë me qëllim parandalimin e armatosjes së grupeve kriminale, duke thënë se njerëzit “mund të dorëzojnë armët e tyre të jashtëligjshme pa rrezik penalizimi deri në nëntor”.

Zhvillimi vjen teksa vendi ka parë një rritje shqetësuese të dhunës së armëve vitet e fundit, prej bandave të trafikut të drogës që luftojnë për territor.
Burri që nuk u identifikua publikisht, raportohet se kishte dorëzuar 62 pistoleta dhe 18 armë të tjera, përfshi dhe automatikë e mitralozë, pjesë këmbimi dhe një granatë për të cilën policia tha se ishte e kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët shtonin se do të informonin muzeumin kombëtar për gjetjet, për të parë nëse “ato duhet të ruhen për brezat e ardhshëm”.
“Është masa më e madhe që kemi marrë deri tani,” tha zëdhënësi i policisë Thomas Kristensen, duke shtuar se në 12 ditët e para të amnistisë ishin dorëzuar 8,402 objekte, sipas shifrave zyrtare.

Mediat vendase shtonin se në disa raste stacione policie duhet të evakuoheshin pasi njerëzit me qëllime të mira, sillnin për të dorëzuar granata e eksplozivë të pasigurtë ose të rrezikshëm, shkruan ABCNews.

Amnisti të ngjashme janë zhvilluar në vend në vitet 2009, 2013 e 2017, shkruan rrjeti vendas Ekstra Bladet.