Detaje të reja mësohen nga ngjarja e rëndë që ka tronditur Tiranën, e cila ndodhi pranë shkollës “Fan Noli”, ku një 14-vjeçar vdiq nga plagët e marra, ndërsa një tjetër adoleshent u plagos, pas një sherri masiv.
Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se viktima luante futboll për Dinamo U-15. Kamerat e sigurisë në vendngjarje, të cilat janë marrë nga policia, tregojnë se viktima dhe i plagosuri janë sulmuar nga 3 bashkëmoshatarë të tyre (14-vjeçarë) fillimisht me grushte dhe më pas janë goditur me thikë.
Dyshohet se konflikti ka nisur në rrjetet sociale dhe më pas ka ndodhur edhe përleshja fizike mes tyre.
Policia ka identifikuar 3 personat që dyshohet se janë autorë të krimit, njëri prej të cilëve është shoqëruar në komisariat, ndërsa dy të tjerët pritet të shoqërohen.