Me kurora me lule dhe lot në sy, shokët e skuadrës përcjellin në banesën e fundit Martin Canin

Sot, padyshim duhet të ishin duke i çuar tufa me lule prej golave të shënuar apo sukseseve të arritura në fushën e blertë. Por përballë fatit, edhe fëmijët e vegjël të Dinamos sot janë të dorëzuar. Ndofta tani do të ishin duke marrë udhëzimet e fundit të profesorit të tyre për të nisur stërvitjen bashkë me shokun e tyre, Martinin. Por, jo sot nuk mund të ndodhë kështu. Të gjithë ata kanë marrë kurorat me lule për t’i bërë nderimet e fundit shokut të tyre të skuadrës që humbi jetën ditën e djeshme pas një sherri banal.

Me lot në sy, lojtarët e vegjël të Dinamos U-15 qëndrojnë të ulur siç shihet edhe në video për të respektuar për herë të fundit shokun e tyre, Canin siç i thërrisnin ata. Bashkë është edhe trajneri i skuadrës, Egert Bakalli. Profesori që i udhëhiqte në çdo sfidë, me siguri sot e ka pasur shumë të vështirë për t’i çuar drejt asaj rruge që prehet ëngjëlli i vogël 14-vjeçar.

Të shumë kanë qenë ata që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni mortore të organizuar në “Farkë të Vogël”. Newsbomb.al mëson se përcjellja e trupit në banesën e fundit ishte caktuar në orën 15:00. Por, është shtyrë për disa minuta për shkak të gjendjes shëndetësore të prindërve të të ndjerit. Gjithashtu ambulanca është e pranishme për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë shfaqur probleme shëndetësore.

Stafi i redaksisë së Newsbomb.al bashkohet me dhimbjen e familjarëve duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta për humbjen e madhe të djalit 14-vjeçar, Martin Canit.