Vrasja e 14-vjeçarit/ Gjyshja e shokut të Martinit flet mes lotësh: Nipi im ka ngrirë komplet nuk flet…

Vrasja e Martin Canit nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli”, ku sapo kishte mbaruar mësimin, ka lënë dhimbje të madhe tek qytetarët, prindër e të rinj, që ndjejnë pasiguri se nesër një episod i tillë do i afrohet njerëzve të tyre të zemrës.

Nëse shoqëria dështon, hallka e parë e përgjegjësisë është familja. Shumica e qytetarëve bien në një mendje në këtë pikë, por ajo që i shqetëson, është nëpërkëmbja e figurës së mësuesit, që më parë, e kishte autoritetin e palëkundur.

“Kur e godet mësuesja, prindi reagon ma vrau ma copëtoi, i keni bërë liberal s’guxojnë t’i flasë mësuesi. Prindi duhet ta mësojë fëmijën të dojë shokun mësuesin më të madhin”.

“Ne e shikonim mësuesin si prindër të dytë, ndërsa tani janë si njerëz rruge tani thonë erdhi ky erdhi kjo”.

“Përpara ne jemi dridhur prej mësuesit, tani kanë ndryshuar shumë kohët”.

Prindër të fëmijëve te “Fan Noli”, thonë se është hera e parë që dëgjojnë për një ngjarje të rëndë në këtë institucion arsimor, ndërsa gishtin e përgjegjësisë e drejtojnë edhe ndaj vetes.

“T’u kushtojnë vëmendje fëmijëve se rrinë gjithë kohës në Facebook, TikTok, Instagram, jam me 2 fëmijë vet dua të iki nga Shqipëria, edhe jashtë vrasin nëpër shkolla, po na bëhet rasti i katër brenda pak muajve por sa është Shqipëria sa një lagje”.

“Na erdhi keq gjynah ca t’i bësh kalamaj. Vijnë përherë rrinë në shkallë pinë cigare, i bërtasim ne ikin”.

Kjo gjyshe e përlotur ka ardhur si çdo ditë të shoqërojë nipin në shkollë, për të cilin ka ardhur të interesohet nëse e ka kaluar gjendjen e rëndë që pësoi kur mësoi për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij.

“Nipi im ka ngrirë komplet nuk flet, ka ardhur, doja ta merrja në celular, kanë bërë apo jo mësim…bëjeni problem qoftë për prindërit qoftë për mësuesit, unë ishalla vdeksha këtë sekondë, vetëm këta fëmijë të na rriten”, thotë ajo.