Çfarë i shkakton trurit tuaj përdorimi i telefonit në mëngjes

Mëngjesi është koha më e rëndësishme e ditës prandaj është e thelbësore të ndiqni disa zakone të shëndetshme që ndikojnë në mirëqenien tuaj. Një ndër këto zakone është edhe mos përdorimi i celularit.

Edhe pse telefoni është një nga pajisjet më të domosdoshme në kohët e sotme, ai ka edhe disa efekte negative, veçanërisht kur e përdorim sapo jemi zgjuar.
Fillimi i ditës pa rrjete sociale

Sipas studiuesve përdorimi i celularit në mëngjes shkakton stres.
“Telefonat lëshojnë dritë blu, e cila është e lidhur me lirimin e hormonit të stresit, kortizolit. Kortizoli e bën zemrën të rrahë më shpejt dhe mund të shkaktojë edhe ankth”, thotë Charlotte Armitage, psikologe në Be Device Wise, Angli.

Më tej psikologia thekson se fillimi i ditës me lajme të këqija mund të ndikojë në shëndetin tonë mendor pasi shumica e informacionit që shohim është negativ.
“Në mëngjes, ju akoma nuk jeni përshtatur plotësisht me ditën, ndaj edhe kjo lloj përmbajtjeje mund të ndikojë negativisht për nisjen e ditës”, shtoi ajo.
Çfarë duhet të bëni?

Fillimisht jepini përparësi të gjumit tuaj. Krijoni një rutinë rreth orës së gjumit dhe shmagni përdorimin e telefonit 1 orë para gjumit. Sipas ekpertëve drita e telefonit e bën më të vështirë të bini në gjumë.

“Provoni të shkëputeni përkohësisht nga celulari, duke e vendosur në heshtje kur flini- në mënyrë që asnjë njoftim që vjen të mos prishi gjumin tuaj. Duke bërë këto gjëra, ju po merrni kontrollin e telefonit tuaj në vend që telefoni juaj t’ju kontrollojë juve”, përfundon Armitage.