Enca thyen heshtjen pas pauzës 2-vjeçare: Kam ndjekur lumturinë

Pas dy vitesh mungesë nga skena muzikore, Enca ka vendosur të rikthehet me një projekt të ri muzikor, një baladë dashurie të titulluar “Dashni.”

Artistja kishte zgjedhur të tërhiqej nga vëmendja e publikut, duke mos dhënë intervista dhe duke ruajtur një profil të ulët. Megjithatë, herë pas here ka ngacmuar fansat me postime në rrjete sociale, ku ka lënë të kuptohet për jetën private dhe planet e saj muzikore.

Në një intervistë të veçantë në podcast-in “So Uindi,” të drejtuar nga motra e saj, Enca ka zbuluar arsyet pas pauzës dyvjeçare dhe planet për rikthimin e saj.

Gjatë intervistës, Enca ka treguar:

“Pas një periudhe shumë të gjatë, më shumë sesa 10 vjet që kam qenë pjesë aktive e industrisë, e muzikës, kisha nevojë që të merrja kohën time si Ruensa, jo si Enca, jo vetëm si artiste, por për veten time. Po ndiqja lumturinë time personale si njeri dhe mendoj që edhe sikur ta ktheja kohën, sërish do ta kisha marrë këtë pauzën se shumë njerëz mendojnë dhe është e vërtetë që pas një pauze, gjërat janë pak më sfiduese për t’i kapur gjërat aty ku i le, por për mua ishte shumë e rëndësishme që të bëja këtë balancën mes jetës sime personale dhe jetës publike ose profesionale. Gjithë jetën, ajo që kam bërë ka qenë karriera ime, muzika. Sigurisht që e kam jetuar jetën se për atë jam eksperte, por këto vitet e fundit jam bërë akoma më shumë. Kam marrë kohën time për rritjen time personale, për karikimin tim, për rikthimin tim.”

Kur u pyet nëse i kishte munguar të qenit një yll, Enca u përgjigj me sinqeritet:

“Më kishte munguar më shumë të qenit Ruensa, një vajzë e zakonshme si gjithë të tjerat. Kam shijuar eksperienca që nuk kisha pasur kohë t’i përjetoja më parë – nga udhëtimet, deri te momentet e thjeshta të përditshmërisë.”