Hapja e fabrikës për municion, Maqedonci jep detaje shtesë

Kosova ka bërë hapin e parë drejt prodhimit të municioneve në territorin e vet.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të mërkurën se e ka nënshkruar vendimin për vënien e hapave të para për ngritjen e industrisë ushtarake.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se vendimi është për themelimin e një komisioni ndërministror për qëllimin dhe vlerësimin për nisjen e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve dhe për laboratorin për dizajnimin e fluturave pa pilot.

“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.

Për këtë çështje ka folur edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili dha detaje shtesë rreth vendimin për formimin e komisionit, i cili siç tha ai, do të hulumtojë dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit

Në lidhje me këtë fabrikë, Maqedonci u shpreh se kanë zhvilluar në vazhdimësi komunikim dhe koordinuar me partnerët.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës ka nënshkruar vendimin për formimin e një komisioni i cili do të vë bazamentin e industrisë ushtarake për herë të parë në vendin tonë dhe me këtë ne po fillojmë një epokë të re për kompletimin dhe përmbylljen e sistemit dhe infrastrukturës së Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke tentuar që të krijojmë qëndrueshmëri edhe në aspektin e prodhimit dhe furnizimeve me sistemet e armatimit”.

“Ky komision do të hulumtojë dhe do të negociojë si dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit që do të jetë edhe fabrika e parë e llojit të tillë në Republikën e Kosovës”.

“Për këtë ne kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim, jemi koordinuar me partnerët tanë dhe në këtë rast, pra për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, jemi në kontakt dhe kemi pranuar edhe një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe komisioni i cili do të punojë dhe i cili do të kryesohet nga unë, do të finalizojë kontratën me të cilën ne fillojmë për punën për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit”, u shpreh ai.

Hapja e kësaj fabrike, sipas Maqedoncit nuk do të do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve.

“Kjo nuk do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve, të gjitha kompanitë inkurajohen që vazhdojnë punën e tyre për hapjen e fabrikave të tilla, duke pasur parasysh faktin që sot më shumë se kurrë, jo vetëm vendi ynë, por të gjithë partnerët tanë, por edhe në botën në tërësi, ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municionit dhe armëve, por gjithashtu edhe për krijimin e rezervave, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet bota në përgjithësi, por edhe regjioni ynë”, u shpreh ai.

Ministri gjithashtu tha se ky komision do të hulumtojë dhe do të diskutojë edhe mundësinë për hapjen e një laboratori, siç tha ai, me qëllim dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

“Dihet që fluturaket pa pilot si një sistem i ri, i cili është duke u aplikuar në luftërat e fundit, si në Ukrainë, gjithashtu edhe në Lindjen e Mesme, është një sistem i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe përmes këtij laboratori, vendi ynë do të ketë mundësi që të punojë në dizajnimin e fluturakeve, të cilat në të ardhmen mendohet që mund të prodhohen pikërisht këtu në vendin tonë. Edhe për këtë kemi diskutime me shumë partnerë dhe do të bëhen të ditura të gjitha informacionet në ditët dhe muajt në vijim”.

“E rëndësishme është që me hapjen e fabrikës së municionit, me hapjen e laboratorit për dizajnimin e fluturakeve, vendi ynë po bën një hap më tej në aspektin e përmbylljes edhe kompletimit të infrastrukturës së përgjithshme të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe me të cilën ne po garantojmë qëndrueshmëri, jo vetëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por për vendin tonë në përgjithësi, por edhe po mundësojmë që mbështetjen e partnerëve ta bëjmë nga vendi ynë në aspektin e municionit dhe sistemit të armatimit”, tha ai.