Osmani bën homazhe në Prekaz: Betohemi para varreve të Jasharëve se do ta mbrojmë çdo cep të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 28 Nëntorit dhe ditëlindjes së Adem Jasharit.

Pas homazheve, në një deklaratë për media ajo ka theksuar rëndësinë e datës së 28 Nëntorit për Kosovën, duke e lidhur atë me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.

“Kjo festë e cila është simbioze e disa datave historike, natyrisht shpallja e pavarësisë së Shqipërisë por njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike edhe njëherë për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se u betuan para varreve të Jasharëve se do ta mbrojnë çdo cep të Kosovës.

“… për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre që do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis çdo cep të Republikës sonë, do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët gjithë andej kudo që jetojnë ata, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara”, ka potencuar Osmani.