Në emisionin “Me Zemër të Hapur” janë trajtuar raste nga më të ndryshmet duke filluar nga problematikat familjare e deri te vrasjet makabre. E tillë është historia që u trajtua vetëm pak kohë më parë ku një 60 vjeçare rrëfeu se është mashtruar dhe gënjyer nga një kolege pune në një biznes privat në kryeqytet.
60-vjeçarja rrëfeu se djali i saj kishte marr eksplus dhe mikesha e saj i premtoi kundrejt një shume parash që ta njoftonte me një avokate, e cila do ti jepte zgjidhjen e duhur. Pikërisht këtu nisi zanafilla se përveç parave shoqja e saj i mori asaj edhe bizhuteri me vlerë të madhe duke u shtirur si nje person shumë i varfër.
Vajza e 60 vjecares ka qenë e pranishme në disa takime me mikeshën e nënës dhe ka zgjedhur sot të flas për detajet.
Por si ra në kurthin e mashtrimit 60-vjeçarja?
“Mami punonte në një vend pune ku njohu zonjën e saj. Duke qarë hallet me njëra tjetrën, mami i tregoi historinë e vëllait, ndërsa shoqja e saj i tha se njihte një avokat të mirë, i cili kurrë nuk u morr vesh kush ishte, emrin që kishte.
Vëllai kishte një ekspuls dhe avokati do e ndihmonte për heqjen e ekspulsit. Ajo i kërkoi 600 euro, mami nuk ia dha të gjitha menjëherë, ia ka dhënë me këste. Pasi mami ia dorëzoi të gjitha lekët, shoqja e mamit nisi të gjente pretekste të ndryshme.
Atëherë unë e takova, e pyeta ku qëndron problemi. Zonja në fjalë nisi me mashtrime atëherë unë i thashë: është e premte, nëse ditën e hënë nuk më jep letrën në dorë, pasi më tha se “letra është marrë nga avokati”, megjithëse unë nuk e besoja në ato që thoshte. Ia thashë në sy që nga ky moment do të merrem unë me çështjen, dhe bisedën e lamë që ditën e hënë do më merrte ajo në telefon.
Ndërkohë nuk ndodhi, e mora unë në telefon, më tha që do e shtyjmë për nesër apo pasnesër.Nejse unë këmbëngula për të bërë një kontratë noteriale dhe vajti mami me zonjën në fjalë te noterja, shkuan dhe bënë kontratën. Ajo tha se do të iki të punoj, në një vend që s’po ia them emrin, dhe tha se me datën 3 korrik do të sjell shumën që të kam.
Ajo po fajësonte veten, duke thënë më mashtroi djali, faji është i imi, pra të gjithë fajin po ia hidhte djalit. E mirëkuptuam edhe këtë rast. Por me 3 korrik nuk ka ardhur, ndërsa më vonë i dha mamit një shumë prej 500 mijë lekë me dy këste, një 350 dhe një 150, ndërsa 100 euro mi ka dhënë mua në dorë. Pastaj tha se unë si kam marrë të gjitha lekët që kam punuar, do më prisni deri më 6 shtator, e mirëkuptuam sërish, erdhi data 6 e telefonave. Më tha po punoj 24 orë për të larë borxhin ty. Erdhi në 16 shtator, tha se pronari më ka mashtruar, nuk më ka dhënë lekët. Ndërsa mua më tha unë i mora lekët, por kisha probleme të tjera më të rëndësishme se kjo shuma që ju kam ju”, nga vajza e 60-vjeçares.
Në vijim të rrëfimit, ajo tha se 400 euro mami ia ka dhënë kësaj zonje që të rregullonte çatinë e shtëpisë, dhe këtë shumë ajo e pranon.
Në vijim ajo u shpreh se 70 euro ia ka dhënë që të zhbllokohej telefoni i djalit të saj, pasi aty ndodhej letra, dhe kjo shumë iu kërkua për të tërhequr telefonin.
“70 euro të tjera ia dha për t’ia çuar djalit, pra i ka dhënë dy herë 70 euro dhe njëherë 50 mijë lekë”, tha vajza e 60-vjeçares.
Ajo u shpreh se zonja ia ka borxh në total 1.2 mln lekë, nga të cilat 600 mijë i ka dhënë ka edhe 600 mijë të tjera që i ka borxh.
“Mami im ndërkohë që ndihmonte, hallall t’ia bëjë Zoti, mami kishte harruar në çantën që i çonte ushqime, edhe dy gjëra me vlerë. Mami e ka marrë në telefon dhe i ka thënë kam harruar këto dy gjëra, ndërsa ajo i tha se ia ka marrë djali dhe nuk e dinte se çka bërë me to, i ka shitur apo jo. Unë s’mund ti ve një vlerë këtyre gjërave, por unë po kërkoj shumën e lekëve që kemi rënë dakort në kontratë”, tha vajza e 60-vjeçares.
Ajo tha se është shokuar nga pretendimi i kësaj zonje që thotë se është kërcënuar. “Nëse ajo ka një mesazh të shkruar ose me zë që unë apo mami e ka kërcënuar, unë përgjigjem para ligjit”, tha vajza.
Ajo u shpreh se zonja ka detyrime bazuar në deklaratën noteriale, për të tjerat ne ia bëjmë hallall.