Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu.
Cingu është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare.
Liljana Cingu është një valltare e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Nderuar nga presidenti shqiptar me urdhrin “Mjeshtër i madh” për kontributin e dhënë në vallen popullore shqiptare.
Me Ansamblin Popullor, Lili Cingu ka nisur aktivitetin, që në vitin 1967. Ndër vite me krijimtarinë folklorike në skena të ndryshme është cilësuar edhe si “mbretëresha e valles popullore”. Një jetë e gjatë me krijimtarinë popullore, që për Lili Cingun ka qenë e mbushur plot me momente të bukura dhe emocionuese në skenat shqiptare, por dhe ato të huaja.
Cingu është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”, por karriera e saj numëron dhjetra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, çmimi i “Republikës”, Urdhri “Naim Frashwri” , “Disku i Artë”, “Artiste e Merituar”, Medalje ne Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, etj., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.
Francezët e Dizhon-it, filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19 vjeçare, Liljana Cingu.