Një burrë është arrestuar në Nju Jork lidhur me vdekjen tragjike të një gruaje, e cila humbi jetën pasi u dogj në një tren metroje në Brooklyn. Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch, e përshkroi incidentin si “një nga krimet më të shëmtuara që një person mund të kryejë”.
Sipas informacioneve të para, gruaja ndodhej në trenin e linjës F në Brooklyn kur një burrë iu afrua dhe përdori një çakmak për të ndezur rrobat e saj. Viktima humbi jetën në vendngjarje, ndërsa i dyshuari u arrestua më vonë pas identifikimit nga disa nxënës të shkollës së mesme që e njohën atë në një tren tjetër.
Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në stacionin Coney Island-Stillwell Avenue. BBC raporton se nuk kishte asnjë ndërveprim të mëparshëm mes burrit dhe viktimës.
“Vendi ishte i mbushur me erë tymi dhe oficerët që ndodheshin në një nivel më të lartë të stacionit panë një person të përfshirë plotësisht nga flakët brenda trenit,” tha Tisch.
Hetuesit ende po punojnë për të identifikuar viktimën dhe për të zbuluar motivin e sulmit. I dyshuari, i cili nuk është identifikuar ende publikisht, qëndroi në vendngjarje dhe u ul në një stol pranë trenit, gjë që lehtësoi ndihmën e oficerëve për ta ndjekur përmes kamerave të sigurisë.
Më vonë, tre të rinj telefonuan 911 dhe raportuan se kishin njohur të dyshuarin në një tren tjetër. Ai u arrestua në stacionin Herald Square në Manhattan, ku iu gjet një çakmak në xhep.
I dyshuari, një emigrant nga Guatemala që kishte ardhur në SHBA në vitin 2018, është në hetim dhe po merret në pyetje, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrethanat e sulmit dhe gjendjen e viktimës para incidentit.