Stuhia e borës në Ballkan lë pa energji dhjetëra mijëra shtëpi dhe shkakton kaos në trafik

Dhjetëra mijëra shtëpi në Bosnje ishin pa energji elektrike të martën pas borës së madhe dhe erërave që sollën gjithashtu kaos trafiku në Kroaci dhe Serbi.

Në Slloveni, kërkimi për një alpinist hungarez të plagosur i zhdukur në Alpet në veri të kryeqytetit, Lubjanë, që nga e diela u pezullua për shkak të erërave të forta. Ekipet e shpëtimit e gjetën të hënën shoqëruesen e tij femër dhe e transferuan atë në vend të sigurt, raporton AP.

Bosnja, Serbia dhe Kroacia ndaluan lëvizjen e automjeteve të rënda dhe vendosën nivele të kufizuara trafiku në rrugët e prekura nga bora.

Një ekip shpëtimi malor përdori ski herët të martën për të arritur te një burrë që ishte ngecur në makinën e tij ndërsa po shkonte në një spital për dializë në Kroacinë qendrore.

“E dërguam atje me kohë”, tha shpëtimtari Dario Cindriq.

Disa pjesë të Bosnjës u përballën me një ndalim total të trafikut hekurudhor. Kompania shtetërore e energjisë e Bosnjës e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht të vështirë” në disa zona të vendit.

Bosnja veriperëndimore dhe ajo perëndimore u goditën më rëndë nga stuhia. Banorët në disa zona kanë mbetur pa ujë të pijshëm, ndërsa shkollat ​​janë mbyllur për të dytën ditë.

Televizioni rajonal N1 raportoi se dhjetëra automjete kishin ngecur në dëborë për 10 orë në Bosnjën perëndimore gjatë natës, përpara se të arrinin të vazhdonin.

Autoritetet në qytetin e Dërvarit, BeH, shpallën gjendjen e emergjencës ndërsa po luftonin për të pastruar borën.

Presidentja e këshillit bashkiak, Jasna Pecanac, i tha radios lokale se qyteti ishte bllokuar. “Shumë nga banorët tanë kanë ngecur në dëborë”, tha ajo.