Bitcoin ka nisur me vrull 2024-ën, pasi kriptomonedha është ngjitur në mbi 45 mijë dollarë, për herë të parë që nga prilli i vitit 2022, e nxitur nga optimizmi i miratimit të mundshëm të fondeve të tregtuara në Bitcoin.
Por, me gjithë rritjen e fortë, monedha virtuale mbetet ende shumë larg nivelit rekord prej 69 mijë dollar që arriti në nëntor të vitit 2021.
E gjithë vëmendja e investitorëve është te rregullatori amerikan i letrave me vlerë në pritje të miratimit të ETF, fondit të tregtuar në bitcoin, që do të hapte tregun për miliona investitorë. Edhe rritja e pritshmërive se bankat kryesore qendrore do të ulin normat e interesit këtë vit ka qenë po ashtu një ndihmë e madhe për tregun e kriptovalutave.
Me këto ritme sipas analistëve Bitcoin është në rrugën e duhur për të arritur një rekord të ri në 2024-ën.
Vlerësimet e analistëve janë shumë optimiste pasi presin që vlera e kriptovalutës më të njohur në botë të arrijë nivelet më të larta të të gjitha kohërave, në rreth 80 mijë dollar brenda këtij viti. Ndërkohë, shumë më të larta janë pritshmëritë për vitin 2025 pasi sipas tyre Bitcoin mund të prekë nivelin pranë 150 mijë dollarë./abcnews.al