Dëbora deri në 50 cm paralizon veriun dhe juglindjen, qindra banorë të bllokuar dhe pa energji elektrike; zonat më problematike

Përkeqësimi i menjëhershëm i motit dhe reshjet e shumta të borës gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë problematika të shumta kryesisht në veri dhe juglindje të vendit.

Dibër
Situata problematike vazhdon të mbetet në Qarkun e Dibrës për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Rruga e Arbrit është ende e bllokuar dhe raportohet se në Bypass-in e Murrizit një automjet ka dalë nga rruga dhe ka mbetur i bllokuar me tre persona brenda.
Një fadromë është nisur për të mundësuar qasje në zonën e Bypass-it.

Shumë njësi administrative në Qarkun e Dibrës janë të bllokuara, përfshirë Lurën, Kalanë e Dodes, Selishtën, Ostrenin dhe Trebishtin, ku lartësia e borës ka arritur deri në 70 cm.
Në disa fshatra ka munguar energjia elektrike për më shumë se 24 orë. Sipas informacionit të marrë, në disa zona të thella nuk do të vazhdojë procesi mësimor.
Kukës

Edhe qyteti i Kukësit vijon këtë të hënë të jetë i përfshirë nga reshjet e dëborës, temperaturat e ulëta dhe erërat e forta.
Rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi pasi ka grumbullim të botës e akullit. Ndërsa qindra banorë janë të bllokuar, si fshatrat e njësive administrative të zonave të thella.

Po ashtu zonat e bllokuara po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike.
Lezhë
Moti i keq me erë të fortë ka rrëzuar gjatë natës dy pemë të mëdha pranë oborrit të spitalit rajonal të Lezhës.
Për pasojë janë dëmtuar disa automjete të parkuara dhe një dyqan që ndodhej aty pranë.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar për disa orë për largimin e pemëve dhe rikthimin e normalitetit. Nga ana tjetër moti i paqëndrueshëm ka dëmtuar edhe rrjetin elektrik ku shumë fshatra në të gjithë territorin e qarkut vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Pavarësisht se reshjet janë ndërprerë që prej mbrëmjes së kaluar, temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme duke sjell ngrica kryesisht në zonën e Mirditës.
Në Krujë disa fshatra janë bllokuar plotësisht, ndërsa reshjet e borës që shkojnë deri në 50 centimetra, kanë shkaktuar dhe ndërprerjen e energjisë elektrike.

Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet atmosferike ekstreme kanë pezulluar procesin mësimor edhe në 30 shkolla të juglindjes së vendit.
Në total, 1100 nxënës nuk do të zhvillojnë mësim sot, me shumicën e tyre të përqendruar në zonën e Pogradecit, ku në zonën e Mokrës dëbora varion nga 35-50 cm trashësi.

Shkollat e qendrave kryesore si Velçani (138 nxënës), Rodokali (145 nxënës), Proptishti (112 nxënës) dhe Trebinja (84 nxënës), si dhe shkolla të tjera vartëse në fshatra si Bishnica, Slabinje, Laktesh, Buzaishtë, Kriçkovë dhe Grunjas, janë mbyllur për shkak të dëborës së madhe që ka bllokuar rrugët dhe ka vështirësuar transportin e nxënësve.

Në Devoll dhe Korçë-Pustec, shkolla të tjera si ato në Vidëhovë, Arrzë, Vithkuq, Lubonjë dhe Panarit gjithashtu kanë ndërprerë procesin mësimor për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe mungesës së qasjes në infrastrukturë.

Kushtet e krijuara nga reshjet e dëborës kanë bërë të pamundur zhvillimin e mësimit, ndërsa pritet një ndërhyrje për përmirësimin e situatës në ditët në vijim.

Meteorologia, Tanja Porja tha sot termometri do të zbresë në minus 6 gradë celsius, ndërsa era do të jetë e fortë dhe problematike.

“Rënie të temperaturave në zonat malore, termometri do të zbresë në minus 6 gradë celsius. Në mesditë maksimumi do të arrijë në 8 gradë celsius në rang territori. Era do të jetë problematike dhe fortë me drejtim verilindor. Mbeten prezentë reshjet e pakta të dëborës në veri, reshje të konsiderueshme në zonat jugore. Që mbrëmë ka vijuar rënia e temperaturave në minus 5 dhe minus 6 në zonat veriore, në zonat jugore në minus 3. Prezencë të shiut në zonat perëndimore”.

Sipas meteorologes, problematike gjatë ditës së sotme dhe javës do të jenë edhe ngricat të cilat do të zbresin në 100 metra lartësi.
Porja theksoi se zonat problematike ku maksimumi i temperaturave do të jetë zero gradë janë: Bajram Curri, Hasi, Puka, Bulqiza, Devolli dhe Kolonja. Në pjesën tjetër maksimumi do të jetë 7-8 gradë.

Edhe gjatë kësaj jave sipas meterologes Porja, moti do të jetë i acartë dhe me ngrica, ndërsa trashëia e borës do të arrijë mbi një metër.