Dirseo Haxhaj ndoshta është një emër jo i famshëm, por me siguri një pjesë e mirë janë njohur me vetë personin përmes videove në Tik Tok në llogarinë “Toni pizzaiolo”. Toni ka 24 vite që merret me këtë profesion të cilin e ka nisur në Gjermani. Pas eksperiencës jashtë vendit, ai vendosi të kthehej në Shqipëri për të hapur bizneset e tij.
Por Toni jo vetëm përgatit pica, ai bën shfaqje me to që kanë tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. I ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të ndarë pasionin për picën, këshilla se si t’i përgatisni në mënyrë të përsosur dhe sigurisht, për të dhuruar spektakël me marifetet e tij, Toni rrëfen edhe historinë që i lidh të gjitha së bashku.
Toni: Me thënë të drejtën, kur kam qenë i vogël doja të bëhesha pilot, kisha ëndrra si çdo fëmijë. Po të pyesësh fëmijët e mi, njëri thotë polic zjarrfikës. Pastaj erdhi koha, shkova te shkolla, ngatërrova shkollën, u futa te picat. Që atëherë pica fluturon, u bëra gjysmë piloti.
Rudina Magjistari: Kush të mësoi të bësh këtë lojën me brumin?
Toni: Vetë. Fillova punë në një restorant, punova gati një vit aty, mësova si hapen, si bëhen, se si bëhet brumi.
Rudina Magjistari: Është e vështirë besoj, s’është e lehtë, të është dashur shumë praktikë.
Toni: Normale. Shumë, me të vërtetë shumë, por kur e ke punën me pasion gjithmonë mëson. Kur e ke pasion, edhe lodhjen nuk e ndien shumë, gjithmonë ecën përpara.
Në trukun e radhës, Toni demonstron edhe një art me picën. Ai i kërkon Rudina Magjistarit të mbajë në dorë një top brumi të cilin e pret duke formuar një trëndafil./tvklan.al