Doktori Jetmir Gashi nga Suhareka, kirurg vaskular, humbi jetën mbrëmjen e sotme, pas një aksidenti të rëndë në fshatin Carralevë, rrugës për Prizren. 42-vjeçari suharekas u përplas me një autobus teksa ishte në lëvizje me veturë dhe fatkeqësisht pësoi plagë të cilave nuk iu mbijetoi, raporton Gazeta Sinjali.
Vdekja e tij ka tronditur familjen, të afërmit dhe të gjithë kolegët e tij, që punuan bashkë për shumë vite.
Shumë prej tyre kanë shprehur fjalë prekëse në rrjetin social Facebook, duke shkruar se vdekja e tij është një humbje e madhe edhe për komunitetin shëndetësor.
Ata e kanë përshkruar si një doktor të përkushtuar, me zemër të madhe dhe si një profesionist të jashtëzakonshëm.
“Me dhimbje të thellë dhe zemër të rënduar mora lajmin e ndarjes nga jeta të shokut tim të fëmijërisë dhe kolegut tim të nderuar, Dr. Jetmir Gashi. Një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij të dashur, por për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.”
“Jetmiri ishte më shumë se një mjek i përkushtuar – ai ishte një njeri me zemër të madhe, një mik besnik dhe një profesionist i jashtëzakonshëm, i cili me duart e tij shpëtoi e ndihmoi shumë jetë. Kujtimet e fëmijërisë sonë, momentet e përbashkëta dhe rrugëtimi ynë profesional do të mbesin gjithmonë pjesë e imja.”
“Jetmiri një djalë i jashtëzakonshëm, punëtor i pashoq, shok i mirë sot iku në botën tjetër duke na lënë të shokuar e pa fjalë të gjithëve.”
“Humbja e tij na ka tronditur të gjithëve. Është e vështirë ta pranojmë se një shpirt kaq i mirë dhe një zemër kaq e madhe u shuan kaq papritur. Do të na mungojë buzëqeshja, dashamirësia dhe pasioni yt për profesionin dhe jetën.”
Dr Gashi kishte specializuar në kirurgji vaskulare në dhjetor të vitit 2022.
Ai la pas vetes gruan dhe dy fëmijë.