Shteti kundër shtetit/ BIRN: Policia akuzohet për shkelje të ligjit në protestën pro Veliajt


Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme denoncuan Policinë e Shtetit se injoroi kërkesat e Gardës së Republikës për të mbrojtur perimetrin e jashtëm të godinës nga mbështetësit protestues të Erion Veliajt, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme deklaruan përmes dy njoftimeve të premten se Policia e Shtetit nuk kishte ndërmarrë asnjë masë dhe kishte injoruar kërkesat e shpeshta të punonjësve të Gardës së Republikës për të siguruar perimetrin e jashtëm të godinës nga mbështetësit e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj më 12 shkurt, duke vënë në rrezik jetën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të administratës gjyqësore.

“Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm u është cënuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre,” deklaroi Gjykata e Posaçme përmes njoftimit.

Situata e paprecedentë ndodhi të mërkurën, kur mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste u mblodhën që në orët e para të mëngjesit rreth Gjykatës së Posaçme në shenjë proteste për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pas përfundimit të seancës, protestuesit u filmuan teksa kishin rrethuar makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe thërrisnin në kor “Turp”.

Gjykata e Posaçme dhe SPAK i kërkuan shpjegime Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, lidhur me mos-ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për të garantuar sigurinë dhe rendin në perimetrin e jashtëm të këtyre institucioneve të drejtësisë, megjithëse një gjë e tillë u është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Neglizhenca e Policisë ka sjellë sipas dy institucioneve vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pengimin e tyre që të dalin nga ambientet e gjykatës, ndërkohë që protestuesit kanë goditur makinat si dhe kanë sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit për të garantuar rendin në gjykatë erdhi pasi kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje kryebashkiakut Veliaj dhe nuk i kurseu sulmet ndaj gjyqtarit të çështjes, Erion Bani dhe SPAK.

Pyetur nga BIRN mbi sjelljen e Policisë së Shtetit, zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk komentoi, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim institucioneve respektive. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani tha se sapo t’u mbërrijë shkresa, do të ngrenë një grup inspektimi për të verifikuar pretendimet.

Godina e Gjykatës Speciale ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës, por vetëm në perimetrin e saj të brendshëm. Sa i përket sigurisë në ambientet e jashtme të Gjykatës, Garda bashkëpunon dhe bashkëvepron me Policinë e Shtetit për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe objekeve në ruajtje.