Reshjet e dendura të borës, që kanë vazhduar për tre ditë me radhë në Stamboll, kanë çuar në mbylljen e trafikut detar në Bosfor. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Bregdetare të Ministrisë turke të Transportit dhe Infrastrukturës, lundrimi është ndaluar në të dy drejtimet.
Për shkak të motit të keq, kompania ajrore “Turkish Airlines” ka njoftuar se disa fluturime nga dhe drejt Aeroportit të Stambollit të planifikuara për nesër janë anuluar. Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale, kompania ka sqaruar se pasagjerët mund të kontaktojnë shërbimin e asistencës për të marrë informacion mbi rimbursimet ose ndryshimin e biletave.
Ndërkohë, sipas gazetës Hürriyet, autoritetet turke kanë vendosur që të hënën shkollat në Stamboll të mbeten të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta ekstreme dhe vështirësive të pritshme në transportin e nxënësve.
Nga mesnata e kaluar, autoritetet lokale kishin ndaluar qarkullimin e motoçiklistëve dhe shërbimeve të korrierëve në qytet, por pasditen e sotme ndalimi është hequr.
Sipas meteorologëve, nata më e ftohtë pritet të jetë e diela, ndërsa të hënën temperaturat mund të zbresin deri në -15°C.