Përplasja e avionëve në Japoni, pilotët: Nuk e kuptuam që avioni kishte marrë flakë

Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me përplasjen e dy avionëve në aeroportin Haneda të Tokios, kur një Airbus me 379 pasagjerë u përplas në pistë me një avion të vogël.

Si pasojë e përplasjes, të dy avionët u përfshinë nga flakët dhe 5 pesë persona humbën jetën. Pilotët e Airbus thanë se nuk e kuptuan se avioni kishte marrë flakë pas përplasjes dhe një stjuardesë ishte ajo që i njoftoi.

Pas kësaj, filluan të gjitha procedurat për të kryer evakuimin e të gjithë 379 pasagjerëve. Në bord ndodheshin tre pilotë dhe 12 stjuardesa kur ndodhi përplasja.

Mediat japoneze e përshkruan evakuimin si një “mrekulli që ndodhi brenda 18 minutave”. Pasagjerët hodhën çantat e dorës, vrapuan drejt daljeve të urgjencës, përpara se avioni të përfshihej nga flakët.

Pesë nga gjashtë personat në bordin e avionit të Gardës Bregdetare De Havilland Dash-8 humbën jetën, ndërsa piloti arriti të shpëtonte.

Avioni do të dërgonte furnizime emergjente për të prekurit nga tërmeti i së hënës në prefekturën Ishikawa.

/abcnews.al