Nadia është një zonjë energjike që ndau historinë e jetës së saj në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Ajo ka patur një jetë mjaft aktive, por edhe sot që është rreth të 80-ave nuk resht së punuari. Për vite me radhë ajo ka punuar si artizane sixhadesh e qëndistare, ndërsa sot ka një fermë kërmijsh.
Nadia: Unë jam marrë në fillim… njëherë kam punuar te sixhadet.
Aldo: Super punë,vetëm lodhje e tmerrshme.
Nadia: E tmershme.
Aldo: Ama kur shoh në televizor që punojnë sixhade, lodhem duke i parë, jo më t’i bësh.
Nadia: Mos shih tani se tani kanë ndryshuar një çikë gjërat, por atëherë kanë qenë dhe më të vështira. Megjithatë kemi punuar shumë…
Aldo: Sa orë punoje mi Nadia? Te sixhadet shkoje në 07:00 the ti, me 20:00?
Nadia: 06:00 se ishte me dy turne, me tre turne.
Aldo: Dhe kur ktheheshe ti, në 15:00-16:00?
Nadia: Në 15:00.
Aldo: Po do gatuaje, do bëje punët e shtëpisë…
Nadia: Po çfarë thua o Aldo, të gjitha i kam bërë dhe nuk kam përtuar fare për t’i bërë, kam pasur kënaqësi që i kam bërë sepse unë e kam menduar jetën që kjo jetë është vetëm lëvizje.
15 vjet më parë Nadia hapi edhe një restorant duke eksploruar kështu edhe pasionin e gatimit. Para 12 vjetësh ajo humbi bashkëshortin dhe kjo e izoloi në vetvete derisa vendosi të ishte pjesë e publikut të programit “E Diela Shqiptare”. Përpara se të ndodhte pandemia, ndërsa qëndronte në shtëpinë e saj të dytë në Golem, Nadia kontaktoi me një italian dhe hapi një fermë kërmijsh në Gosë të Kavajës.
Nadia: Para 23-24 vjetëve në Shark të Tiranës unë kam punëtoret e mia të qëndisjes. Unë shkoja me makinë që iu çoja punëtoreve të mia punën dhe ua merrja punën se nuk i lija që të shpenzonin.
Aldo: Dhe aty njohe…
Nadia: Aty njoha një italian. Aty ishte kërmij dynjaja. Kishe frikë të kaloje, të shkelje sipër kërmijve.
Aldo: Nga lagështira aty rrinë.
Nadia: Po. Edhe ai, ai vinte tani nga Italia, mblidhte kërmijtë aty.
Aldo: Po ti ku e gjete?
Nadia: Ai më gjeti mua, i thanë gratë që “çfarë po punoni? Aman më takoni mua me atë pronaren e qëndisjeve”. Mirë i thashë unë atyre grave, lashë një ditë takim me atë unë, e takova italianin dhe fillova biznesin me italianin.
Aldo: Po çfarë i bën kërmijtë ti, ku i çon?
Nadia: Unë kërmijtë i çoj në Itali, i çoj dhe në Francë.
Aldo: Po si i rrit ti kërmijtë, i merr nga veza dhe i rrit?
Nadia: Ka punë ajo.
Aldo: Pa më trego një çikë.
Nadia: Janë kërmij të vegjël që hidhet fara në një fermë të vogël, aty rriten ata dhe aty quhet materniteti i kërmilit. Një kërmill bën 280 vezë në vit.
Aldo: Një kërmill?
Nadia: Një.
Aldo: Qenka qejfli i madh!
Nadia: Dhe shtohen aq shumë… unë me atë italianin atje bëra punë.
Aldo: Një qese e tillë, sa ia shet italianit?
Nadia: Sa ia shes italianit? Po është sekret o Aldo, nuk tregohen let o Aldo! Ça dashke ti tani, të marrë vesh dynjaja sa lekë kam unë?/tvklan.al