Në det, gropë apo… ku ndodhet pistoleta? Të gjitha detajet që i bëjnë hetuesit të besojnë se 19-vjeçarja nuk veproi e vetme

Nga Durrësi, dy gazetarët e Klan News Besar Bajraktaraj dhe Enkeleda Arapi, vijon të përcjellin detaje për ngjarjen e rëndë të zbuluar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Shënavlash, aty ku u zbulua i vrarë e groposur Pëllumb Meta (Lexo më shumë). Krimi që u zbulua pas dëshmisë së vajzës së tij 19-vjeçare, Hygerta Meta, ka ende shumë mistere dhe detaje që nuk përputhen me një autor të vetëm.

Hygerta pretendon se ishte vetëm në shtëpi kur e vrau të atin me pistoletë, në trupin e të cilit paraprakisht raportohet të jenë gjetur 4 plagë. Vrasja sipas 19-vjeçares ndodhi në katin e 2 të shtëpisë. Më pas ajo e mori trupin e pajetë të të atit, e mbështolli me qese dhe e tërhoqi deri në oborr. E çoi po e vetme drejt kasolles, dhe aty hapi një gropë të thellë, 1 metër e gjysmë. Makinën e viktimës e transportoi drejt plazhit, ku u gjet e parkuar.

Sa i përket armës së krimit, e reja raportohet të ketë dhënë disa versione; një herë ka thënë se e ka hedhur në det, e një herë tjetër se e ka groposur.

“Në një moment ka deklaruar që e ka hedhur në det, në një moment tjetër ka thënë që e ka hedhur në kanalin në afërsi të banesës së saj, mirëpo nga verifikimet nuk është gjetur ende. Gjatë ditës së sotme ka deklaruar se e ka groposur në oborr pas krimit. Me gjithë verifikimet dhe kërkimet me detektor, sërish policia nuk ka mundur ta gjejë”, raporton gazetari Besar Bajrataraj.

Të gjithë këto detaje, së bashku me misterin që shoqëron vendndodhjen e armës së krimit, sipas gazetarëve në terren bëjnë që hetuesit të dyshojnë se 19-vjeçarja nuk e ka kryer e vetme këtë krim të rëndë. Dyshimet kryesore janë se është ndihmuar nga nëna dhe vëllai i saj i madh, që vijojnë të merren në pyetje në polici.

“Pavarësisht se 19-vjeçarja i ka përjashtuar nga krimi, ata vijojnë të merren në pyetje në polici”, raporton gazetarja Enkeleda Arapi.

“Mbetet e pabesueshme pasi mënyra sesi ishte mbështjellë viktima, hapja e një grope deri në një thellësi prej 1.5 metra dhe transporti i trupit të pajetë nga banesa në një distancë prej 50 metrash, drejt vendit që është groposur, sipas policisë është e pamundur të kryhet nga një person i vetëm. Ndaj dyshimet janë se janë edhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me 19-vjeçaren. Policia bën të ditur se në gishtat e vajzës janë gjetur elementë plotësues që tregojnë se ajo ka qëlluar me armë zjarri. Janë 4 plumba që janë qëlluar nga pistoleta, që e dispononte vetë viktima, për faktin se punonte si roje në një treg makinash dhe mbante gjithmonë armë me vete. Por për mënyrën sesi ka arritur ta fshehë trupin e të atit dhe më pas ta groposë, padyshim që policia thotë që janë të tjerë persona të implikuar, qoftë këta familjarë apo persona të mbërritur nga jashtë që kanë ardhur në ndihmë të vajzës”, shprehet Arapi.

Por si u gjet trupi i Pëllumb Metës?

“Fillimisht është bërë i mundur lokacioni i telefonit të tij që tregonte që hera e fundit që telefoni kishte qenë aktiv në banesën e tij. Më pas janë shoqëruar familjarët, në këtë rast vajza, dy djemtë dhe bashkëshortja dhe pas ushtrimit të presionit të pyetjeve nga ana e hetuesve të çështjes, në një moment vajza është dorëzuar dhe ka treguar vendndodhjen e trupit të pajetë duke i dërguar efektivët në vendin ku e kishte groposur”, sqaron më tej gazetarja.

Një tjetër pikëpyetje mbi këtë ngjarje është koha kur ka ndodhur krimi dhe ku ndodheshin pjesëtarët e tjerë të familjes. Hygerta pretendon se ajo ishte vetëm me të atin gjatë kohës kur e vrau dhe e groposi.

“Djali i madh i familjes më datë 13, në orët e vona të mbrëmjes, ka deklaruar para uniformave blu që kanë humbur kontaktin me të atin para 3 ditësh. Vajza ka deklaruar që ngjarja ka ndodhur në momentin që askush nuk ka qenë në banesë. E ëma ishte shtëpiake dhe në momentin që krimi është kryer ajo ka qenë duke punuar tek arat që ishin fare pranë banesës dhe nuk ka pasur dijeni mbi atë që po zhvillohej në banesë. Ndërkohë që vëllai i madh punonte në një servis dhe sipas vajzën në momentin që ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi, ashtu si vëllai i vogël. Të gjithë pjesëtarët e familjes mbeten në të njëjtin version sa i takon deklaratave të tyre”, shton Arapi.

Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta
Në foto autorja e dyshuar, Hygerta Meta
Në dëshminë fillestare, 19-vjeçarja mësohet se ka qenë në një gjendje të rënduar, por më pas u ka thënë hetuesve që nuk pendohet aspak për krimin, pasi i ati kishte qenë një njeri i dhunshëm, një person autoritar në familjen e tyre dhe çdo gjë duhej të bëhej sipas vendimeve që ai merrte. 19-vjeçarja ka deklaruar po ashtu se në momentin kur i ati i ka thënë se do ta fejonte pa dëshirën e saj, “u mbush me urrejtje kundrejt tij”, gjë që e çoi drejt vrasjes.

Deri më tani, dyshimet janë se Pëllumb Meta është vrarë ditën kur u denoncuar i zhdukur, më 13 Shkurt dhe trupi është groposur gjatë orëve të natës. Ai raportohet se është parë të kthehej nga puna në shtëpi, por jo të dilte prej saj./tvklan.al