‘Do i mungosh shokëve, familjes e motrave’, shkolla e Greit bën reagimin prekës

Shkolla ku vazhdonte studimet profesionale 19-vjeçari Grei Bihuci i cili u vra me thikë paradite në qytetin e Fierit ka bërë një reagim për ngjarjen e rëndë, duke shprehur hidhërimin që ndjejnë dhe ngushëllimet familjes së të riut.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se bangave të shkollës sonë, shokëve, mësuesëve, prindërve dhe dy motrave, do ju mungojë Grei Bihuci, ky djalë i dashur, shembullor, i zgjuar dhe i papërtuar për të marrë dije. Dhimbja dhe lotët janë të pashtershëm për ty Grrei. I shprehim ngushëllime të përzemërta familjarëve të Greit! Qofsh i paharruar në zemrat tona”, shkruan shkolla.

Ishte një konflikt i çastit që dyshohet të ketë lindur pas një debati në rrjetet sociale, çka solli në një përplasje fizike gjatë paradites së 11 marsit 2024. Florjan Muka 18-vjeç qëlloi me thikë Grein duke e lënë të lënduar, por fatkeqësisht ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra duke ndërruar jetë në spital.

Përveç tij i lënduar mbeti dhe një 20-vjeçar me inicialet O. S., i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Grei përshkruhet nga personat që e njohin si njëri i qetë dhe që nuk bënte trazira.

Ai studionte për TIK në vitin e dytë të shkollës profesionale Petro Sota. Gjatë pasditeve punonte kamarier në një pastiçeri afër vendit ku ndodhi ngjarja. Për ngjarjen të shumta kanë qenë komentet në rrjetet sociale nga shoqëria e Greit, të cilët shprehin hidhërim!

Policia ka arrestuar 18-vjeçarin dhe po ndjek veprimet procedurale të rastit.